Qendra Muzeore ”Ndre Mjeda”

Ky objekt mori Statusin si Qender Muzeore kushtuar Ndre Mjedes dhe u shpall zonë e mbrojtur me Vendim Nr.53 datë 22/02/2012. Kompleksi përbëhet nga kisha dhe nga qela (shtëpia ku ka banuar rreth 30 vite Ndre Mjeda) dhe ndodhet në fshatin Kukel të Njësisë Administrative Bushat. Kompleksi është ideuar dhe projektuar nga vete Mjeda, sipas stilit neoklasik. Qela është e ndërtuar në vitin 1906 dhe kisha në vitin 1913.

Në vitin 1962, banesa u kthye në shtëpi-muze, si dege e Muzeut te Shkodrës, ku pati të ekspozuara pjesë nga gjërat personale të Mjedës, si materiale fotografike, shkrime studimore, botime librash etj. Në vitin 1991 shtepia-muze “Ndre Mjeda” u mbyll dhe gjithe materialet e ekspozuara u dërguan në Muzeun Historik të Shkodrës. Në vitin 1993 në kishën e Kuklit shërbyen misionaret e Nënë Terezës,  të cilët bënë një shtesë ngjitur me qelen nga ana e pasme e saj, si dhe në hapësirën ndërmjet kishës dhe qeles duke i lidhur këto dy objekte.

Banesa është e ndërtuar  me mur guri dhe e mbuluar me çati me konstruksion druri dhe tjegulla vendi. Gjithashtu edhe ndërkati i banesës është i ndërtuar me konstruksion druri, trarë druri mbi të cilët është vendosur dyshemeja e drurit e katit të sipërm si dhe është fiksuar tavani i katit përdhe. Dyshemeja e katit përdhe është e shtruar me çimento.

 

Rrënojat e Ipeshkëvisë së Sapës

Rrënojat  e Ipeshkëvisë së Sapës ndodhën në rrëzën e malit të Shën Mëhillit, sot mali i Nënshatit, ngjitur me manastirin e motrave Karmelitane mbi fshatin Nënshat, Njësia Administrative Hajmel dhe është shpallur zonë e mbrojtur e kategorisë së I nga Ministria e Kulturës me vendim nr. 242, datë 19/07/2016. Dioqeza e Sapës ka një histori mbi 950 vjeçare dhe ajo ndodhej brenda qytetit më të njëjtin emër, i cili ishte dhe i fortifikuar. Pikërisht ky sistem mbrojtës njihej si Kalaja e Sapës.

Të dhënat e para për këtë qytet i kemi nga Annuali i Selisë së Shenjtë që në vitin 1062. Qyteti ngrihej në brendësi të malit të Shën Mëhillit (mali i Nënshatit) në një tarracë natyrore rreth 30 m pa mbërritur ne majen e malit, duke i dhënë një mbrojtje të sigurtë ndaj sulmeve. Më vonë sipas dokumentave të kohës është Helena e Rashës e cila së bashku me Ipeshkvin e Tivarit i luten Papës që qytetin e Sapës ta shpallin Dioqezë të re së bashku me fushën e Zadrimës. Me 1292 qyteti digjet e shkatërrohet nga inkursionet e tartarve në Ballkan. Vetem në 1491 do të rindërtohej sërish Kalaja e një pjesë e qytetit dhe Dioqeza e re tashmë do kishte nën varësi dhe atë të Danjes e Sardës të cilat ishin shkatërruar nga invazioni osman.

Në vitin 1860 Ipeshkëvia u ringrit në rrëzë të malit ku vazhdon të jetë dhe sot, dhe në vitet ’30 të shekullit të kaluar i nënshtrohet dhe një rikonstruksioni. Sot nga gjithë kompleksi i Ipeshkvisë së Sapës ruhet vetem fasada ballore që ka një arkitekture me ndikim të stilit gotik. Ështe e punuar me gurë të latuar të vendosur në mënyrë të rregullt dhe me elemente dekorative. Mbi porten kryesore ruhet një rozetë në gjendje të mirë. Aktualisht ka pësuar ndërhyrje në dritaret dhe portën hyrëse (duro-alumini) ngaqë brenda funksionon një urdhër kishtar.

 

 

Vendbanimi i Komanit (Dalmacja e Vjetër)

Vendbanimi mesjetar i Komanit gjendët në fshatin me po të njëjtin emër të Njësisë Administrative Temal dhe është shpallur Monument Kulture që në vitin 1963 dhe së fundmi është shpallur Zone Arkeologjike A dhe B me Vendim Nr.786. datë 22/09/2015.

Rrënojat që njihen si Dalmacja e Vjetër janë studiuar për herë të parë nga konsulli francez në Shkodër, Degrand në 1899. Gërmimet e para aty u bënë nga albanologu i njohur J.Han. Siti shtrihet në një territor që ka një sipërfaqe prej 2 ha dhe përbëhet nga niveli i mesëm i habitatit dhe ai i poshtëm. I gjithë siti shtrihet në një lartësi 570 m mbi nivelin e detit. Siti shtrihet pothuajse paralel në vijë ajrore me nekropolin e vendbanimit.

Niveli i mesëm i vendbanimit ka në përbërje të tij dhe zonën me intensive të gërmuar deri me sot. Ai përfaqëson një zonë të dendur ndërtimesh të dokumentuara dhe një seri të konsiderueshme muresh e strukturash. Si fazë e parë e nivelit të mesëm të vendbanimit është fundi i periudhes antike. Ky vendbanim zë një sipërfaqe prej 105 m². Muret ruhen në lartësinë nga 60 cm deri në 1,20 m.

Niveli i poshtëm i vendbanimit zë një sipërfaqe prej 230 m². Muret ruhen deri në lartësinë 1,42 m ndërsa trashësia e tyre shkon në 60 cm. Këto mure janë të punuar mirë me llaç dhe të fuguar në menyrë të rregullt. Ky nivel i vendbanimit mendohet të jetë më i vonë ose i fundit që daton mes shekujve VIII-XII.

 

 

Kalaja e Danjës, Vau Dejes

Ky fortifikim është shpallur me status Monument Kulture i kategorisë së I me vendim nr. 586, datë 17/03/1948. I përket periudhës mesjetare të shekullit XIV.

Kalaja e Danjës, ndodhet mbi një kodër shkëmbore rreth 120 metër mbi nivelin e detit. Ajo kontrollonte lehtësisht komplet fushën pjellore të Zadrimës dhe rrugët kryesore që vinin nga Shkodra dhe Lezha, të cilat bashkoheshin tek dogana e Danjës, duke vazhduar drejt Kosovës e më larg.

Kalaja  përmendët në dokumentat e shekullit të XII, që ishte një qendër episkopale dhe një nga qendrat më të rëndësishme të kohës që kontrollonte rrugën Shkoder-Prizren. Kalaja mesjetare ishte pjesë e një sistemi fortifikimi të luginës së Shkodrës dhe luginës se Drinit.

Gjate viteve ‘80 të shekullit të fundit janë bërë disa gërmime arkeologjike që tregojnë vendndodhjen e sundimtarëve, familjes Zaharia. Kjo familje luante një rol të rëndësishëm në ngjarjet që i përkasin periudhës së Skënderbeut. Sipas dokumentave veneciane kjo kala është përfunduar së ndërtuari para vitit 1400. Teknika e ndëtimit është ajo e përdorur nga kalatë e tjera mesjetare, gurë të përmasave të vogla, të skuadruar, të punuar me kujdes dhe të lidhur me llaç mes tyre duke ruajtur linjat e rregullta. Në këtë kala ekzistojnë edhe Kisha e Shën Markut dhe varrezat të cilat kanë vlerta të veçanta kulturore dhe arkeologjike.

 

 

Qyteti Mesjetar i Sardës (Shurdhahu)

Qyteti Mesjetar i Sardës është shpallur me status Monument Kulture i kategorisë së I me vendim nr. 586 datë 17/03/1948. Qyteti mesjetar Sarda, sot kalaja e Shurdhahut  ndodhet në një ishull të liqenit të Vau Dejësit, në afërsisht të qytetit të Vau Dejësit.

Qyteza e Sardës deri në fund të shekullit XV ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi i tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, të kulturës së Mirditës dhe të Zadrimës të cilat me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra-tjetra u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm.

Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn dhe studiues e arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartës të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardës. Në këtë fortifikim janë gjetur rrënojat e një kalaje të antikitetit të vonë të shekullit VI-VIII.

Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të dy anët e Drinit, nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës. Sarda në mesjetë shërbente si një një qytezë përbri Drinit dhe një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër.

Në fillimet e mesjestës, Sarda ishte një qendër e rëndësishme Ipeshkvnore. Nga viti 1190 -1460 njihen 17 Ipeshkvij që kanë drejtuar jetën fetare të qytetit. Një mur i gjatë 690 m dhe i lartë rreth 2 m, në të cilin ishin të ndërtuar 10 kulla mbrojtëse, rrethonte pjesën e poshtme të qytetit (zona urbane),  kurse në lartësine e kodrës, një rrethim tjetër me mur, gjatësi 370 m dhe lartësi 3.2 m që përbënte pjesën e fortifikuar ku strehoheshin qytetarët për t’u mbrojtur në rast lufte. Pushtimi turk në vitet 1474-1479 e shkatërroi përfundimisht qytetin

 

 

Kisha e Shën Mërisë, Vau Dejës

Kisha e Shën Mërisë ndodhët përfundi Kalasë së Danjës, e ndërtuar rreth viteve 1300 në luginën e malit të Dejës (Principata e Danjës) dhe është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I. Kjo kishë është vizituar në prag të martesës nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti së bashku me Donikën (thuhet se edhe kanë kurorëzuar martesën) ndërsa në afërsi të saj gjendet varri i Lekë Zaharisë (Princi i Danjës). Kisha është ndërtim tipik i stilit Gotik të shekullit XIII, e gjitha me gurë katrorë të latuar, me dysheme e me tavan dërrasash dhe e mbuluar me tjegulla.

Kisha e Shën Mërisë është një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri që i ka rezistuar shkatërrimeve ndër shekuj, derisa rregjimi komunist pas shumë tentativash për ta prishur, në vitin 1969 e shkatërron me anën e lëndëve plasëse (dinamit).

Sot ruhen përbri Kishës së re të ndërtuar pas viteve ’90 vetëm themelet e Kishës së vjetër në lartësinë e zoklaturës, baza e altarit, muratura e harkuar e absidës dhe portiku hyrës. Kisha e Shën Mërisë për rëndësinë kombëtare të vlerave historike, fetare e kulturore që trashëgon është stampuar në kartëmonedhën 1000 lekëshe dhe së fundmi është vendosur si simbol në stemën e Bashkisë Vau Dejës.

 

 

Kisha e Shën Marku

Kisha e Shën Markut është shpallur me status Monument Kulturë me vendim nr 786/1, datë  05/11/1984. Ky objekt është monoment kulture i kategorise I, është ndërtuar me një arkitekture të veçantë që përket përiudhes mesjetare dhe gjendet në Kalanë e Danjës.

Pothuajse të gjitha burimet historike, deri vonë, deri në shekullin XX, përmendin dy gjëra të rëndësishme të qytezës mesjetare: kështjellën që i ishte blatuar Shën Markut, shenjtit mbrojtës të Venedikut dhe kisha e Shën Mërisë, e ndërtuar në shekullin XIII.

Dyshemeja e kishës është e shtruar me rrasa guri të formave te çrregullta. Kisha i është nënshtruar disa restaurimeve që dallohen nga teknika e ndërtimit. Muri perendimor përfundon me fronton dhe ka gjurmë suvatimi. Monumenti ruhet me mure pa këmbë dhe pa çati, plan-drejtkëndësh.

Datimi i kishës mendohet se i takon shekullit të XIII-XIV, ndërsa muri është i ndërtuar me gure të skuadruar. Teknika e ndërtimit në fazën e parë është me gurë të çrregullt të lidhur me llaç-gëlqereje e të mbushur me rërë të trashë. Muri i fazës së dytë është i ndërtuar me gurë të skuadruar, të rreshtuar drejt, të lidhur me llaç mes tyre dhe me fugaturë të mirë. Në disa fragmente janë përdorur tjegulla në pjesën e fugave.

 

 

Kisha në fshatin Kaç (Në proces shpallje Monument Kulture)

Fshatrat  Kaçë dhe Naraç shrihen në pjesën verilindore të fushës së Zadrimës, aty ku shtrati i lumit Drin del nga pjesa malore për në fushë. Deri në fillim të shekullit XX  aty kalonin edhe shtretërit e lumit Gjadër dhe përroit të Glinës që përmenden që në mesjetë bashkë me kishën në fjalë.

Kishën “Shën Mëria e të ngjiturit në qiell” e gjejmë të përmendur për herë të parë në relacionin e Arqipeshkëvit të Tivarit, Marin Bici në vitin 1610. Vikari i Dioqezës së Sapës Gjergj Bardhi shkruan në një tjetër relacion të vitit 1621 se “Famullitar i kësaj Kishe është Pjetër Boza”. Në një tjetër relacion të vitit 1632 Ipeshkëv i Sapës Gjergj Bardhi shkruan se  “Kisha e Shën Mërisë kishte vreshta dhe kujdestarët e saj”. Në vitin 1638 Arqipeshkëvi i Tivarit shkruan se  “kjo kishë famullitare ka tre fshatra, Ranëzën, Hajmelin dhe Naraçin”.

Ndërsa restaurimi i fundit i saj daton i vitit 1880 dhe ky fakt del nga relacioni i Ipeshkëv Giulio Marsili. Në formën e saj origjinale e gjejmë dhe sot këtë kishë, pasi gjatë periudhës ateiste objekti ishte kthyer në depo bujqësore dhe gjatë kësaj periudhe iu hoqën këmbanorja, altari dhe instalime të ndryshme kishtare në fasada.

Me gjithë ndryshimet objekti ruajti formen e plotë të tij kryesisht nga jashtë ku u ruajtën muret prej guri. Sot ky objekt kishtar i është rikthyer sërish Dioqezës së Sapës.

 

 

Kalaja e Sapës

Kalaja e Sapës gjendët në fshatin Nënshat të Njësisë Administrative Hajmel dhe është shpallur me status Monument Kulture i Kategorisë së I nga Rektorati i Universitetit Shtetërorë me datë 15/01/1963. Ky fortifikim mesjetar i përket shekullit XIV-XV.

Kalaja bashkë me rrënojat e qytetit brenda saj ngrihen në lartësinë 580 m mbi nivelin e detit, tashmë mes një vegjetacioni të dendur dhe të vështirë për t’u evidentuar. Porta nga ana jugore ruan vetem portikun. Në terren vërehen përqëndrime të qeramikes mesjetare të fragmentuar.

Mbetjet e murit rrethues të kalasë janë të përmasave të mëdha në ndryshim nga pjesa e sipërme ku përdoren gurë të vegjel të lidhur mes tyre me llaç dhe gjenden struktura banimi deri në lartësinë 30-40 cm. Në lindje ruhet ende në këmbë struktura e kishës së Shën Mëhillit që arrin në lartësine 1,5 m në anën perendimore si dhe absida e cila ka një diameter 3,5m. Gjatësia e strukturës së kishës është 11,5 m dhe gjërësia 6,5 m. Pranë kishës gjendet një strukture tjetër deri në lartësinë 80 cm me mure me gjërësi 50-60 cm.

 

 

Varreza e Lashtë e Komanit

Nekropoli merr emrin nga ai i fshatit ku ndodhet të Njësisë Administrative Temal dhe është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I që në vitin 1973. Për nga rëndësia arkeologjike dhe të dhënat e përftuara nga gërmimet në kohë të ndryshe njihet dhe si Kultura e Komanit.

Ajo shtrihet në një kodër të lartë 586 m në pjesën më të butë të saj me drejtimin Lindje -Perendim. Ka një sipëfaqe prej 1 ha dhe deri me sot janë gërmuar dhe dal në drite mbi 150 varre. Kjo varreze u gërmua për herë të parë në vitin 1898 nga Degrand e me pas ne 1902 nga Han dhe T.Ippen. Ndërkohë, fushata të gjëra gërmimesh nga arkeologe shqiptar janë zhvilluar gjatë viteve 1956,1962,1978-1979,1986 që kanë vazhduar dhe në vitet e fundit.

Në bazë të gjetjeve, inventarëve të varreve dhe studimeve,  kjo varreze daton mes shekullit      VI-IX. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur “Kultura e Komanit” (shekulli VI-VIII).

Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin “Kulturën e Komanit” me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët. Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varreze e “Kulturës së Komanit” dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e “Kulturës së Komanit” ishin të besimit të krishterë.

Në shekekullin e VI-VIII, krishterimi i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj, kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet “Kultura e Komanit”. “Kultura e Komanit”, qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine, e në fund me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

 

 

Banesa e Martin Camaj

Banesa e shkrimtarit Martin Camaj gjendët në fshatin Telum të Njësisë Administrative Temal dhe është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I me vendim nr.823, datë 18/05/2007.

Banesa ndodhët në një zonë të thellë te fshatit Telum të Temalit dhe arritshmëria e banesës është shumë e vështire. Banesa është ndërtim 2 katësh, ka formë të rregullt drejtkëndore. Dritaret janë drejtkëndore  me korniza guri të latuar, me përjashtim të dy prej të cilave janë të harkuara. Banesa është pothuajse krejtësisht e degraduar, ruhet  vetëm  një pjese e mureve të jashtme. Nuk ruhen ndarjet e ndërkateve, dyert dhe dritaret. Banesa është e ndërtuar me mure guri te skuadruar. Çatia ka qenë prej druri por mungon mbulesa.

 

 

Kalaja e Vigut

Kalaja Vigut gjendët në fshatin Vig të Njësisë Administrative Vig-Mnele dhe është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I, në vitin 1973. Kalatë për garnizone datojnë shumë më herët, duke nisur që nga periudha e Dioklecianit. Këto kala ndërtoheshin  në zona  kryesisht  fushore,  pranë  luginave të lumenjve.

Planimetria e saj  paraqet një katërkëndësh të çrregullt me brinjë 75 x 98m gjatësi  dhe  është e pajisur me 2 porta monumentale që janë  të vendosura përballë njëra-tjetrës me drejtim lindje-perëndim dhe  me plot 12-kulla, ku 4 kullat (2 x 2)  të cilat  mbrojnë  portat  hyrëse.  Kullat janë me forme U-je dhe të pajisura me oborr të brendshëm. Kjo kala është ndërtuar përgjatë rrugës së rëndësishme tregtare-ushtarake Lis-Naisus dhe në  kryqëzimin e saj me rrugën Shkodër-Orosh.

 

 

Liqeni Vau Dejës

Liqeni Vau Dejës është i pari liqen artificial që është ndërtuar në lumin Drin në vitin 1971 dhe ka një siperfaqe prej 24.7km2. Liqeni i Vaut të Dejës është një resurs turistik shumë pak i njohur por vitet e fundit është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar për ata që adhurojnë natyrën dhe duan të eksplorojnë bukuritë e saj të pafundme.

Sipërfaqja e liqenit e rrethuar nga kurora e gjelbërt e pishave, teksa kalon mes zonave malore të ofron një peizazh mjaft tërheqës dhe relaksues. Në liqenin e Vau Dejësit mund të bësh një alternim të mirë, mes banjove në ujërat e embla dhe eksplorimit të natyrës. Në të rriten lloje peshqish si  trofta, ballëgjeri, krapi, etj.

 

 

 

Liqeni i Komanit

Liqeni i Komanit është formuar nga lumi Drin, ku është ndërtuar Hidrocentrali i Komanit. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200m mbi nivelin e detit. Liqeni i Komanit ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit ditor me peizazhin e thyer dhe shumë tërheqës. Një shëtitje e mrekullueshme në itinerarin ujor Koman-Fierzë përgjatë liqenit që të dhuron një copëz të vyer në mozaikun e turizmit natyror shqiptar ku me vështirësi gjenë ndonjë shenjë të veprimtarive njerëzore në brigje. Ky rajon veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Në afërsi ndodhët Varreza e Lashtë e Komanit.

 

 

Fusha e Liqethit

Fusha e Liqethit shtrihet në malin e Cukali, rreth 1200m mbi nivelin e detit, në afërsi të fshatit Lekgegaj, komuna Shllak. Kjo fushë përfaqëson një gropë glacio-karstike në kryqëzimin e shkëputjeve tektonike. Ka një gjatësi prej 1.3 km dhe gjërësia e saj shkon nga 800 deri ne 1000m.  Në fushën e Liqethit ekzistojne  disa mikroforma karstike, çakullina, bimësi barishtore dhe gjatë periudhës  së shkrirjes të borës formohet një liqen i vogël.

 

 

Shpella e Liqethit

Shpella e Liqethit ndodhet në malin e Cukalit, rreth 1200m mbi nivelin e detit. Kjo shpellë është formuar nga karsti në gëlqeror të kretës. Ka një gjatësi prej 75 m, me gjërësi 10-12 dhe lartësia e saj varion nga 26-31m dhe ndodhet në afërsi të fushës së Liqethit.